Rreth Nismës

Youth Initiative for Human Rights

Inicijativa mladih za ljudska prava
Nisma e të rinjve për të drejtat e njeriut

Nisma e të Rinjve për të Drejtat e Njeriut (YIHR) është një rrjet rajonal i organizatave joqeveritare i cili ka programe në Serbi, Kroaci, Mal të Zi, Bosnja Hercegovinë dhe Kosovë.

Që nga themelimi i saj në vitin 2003, Nisma e të Rinjve për të Drejtat e Njeriut lufton për vlerat e njëjta.

Vlerat themelore të Nismës janë e vërteta, drejtësia, përgjegjësia, barazia, liria, demokracia dhe paqja. Luftojmë për paqe në rajon, jo vetëm për mungesë lufte, por për një paqe si proces i përhershëm i cili nënkupton ballafaqimin me të kaluarën, si dhe rezulton me një bashkëpunim të vazhdueshëm të vendeve dhe njerëzve të rajonit.

Ne nuk i pranojmë politikat luftënxitëse dhe kriminelët e luftës në hapësirën publike – insistojmë në respektimin e fakteve të konstatuara, si dhe në dënimin ligjior dhe moral të autorëve të krimeve të kryera gjatë luftrave në ish-Jugosllavi. Edukojmë njerëz të rinj nga rajoni në lidhje me trashëgiminë e luftës, duke bërë dialog në lidhje me perspektivat e zhvillimit demokratik të shoqërive tona.

Aktivistët dhe aktivistet e Nismës, të vetëdijshëm se pa aktivizëm civil nuk ka demokraci, mbrojnë të drejtat e njeriut dhe nuk falin liritë e fituara.

Selitë e Nismës së të Rinjve për të Drejtat e Njeriut gjenden në Beograd, Zagreb, Sarajevë dhe Prishtinë.


Aktivitetet e Nismës

Nisma e të Rinjve për të Drejtat e Njeriut fokusohet tek shoqëritë dhe qytetarët, mbi të gjitha tek të rinjtë, të cilët janë më pak të njohur me ngjarjet dhe krimet e luftës të kryera gjatë viteve nëntëdhjeta, ku ende mbizotërojnë ideologjitë nacionaliste të cilat kanë shkaktuar luftra dhe ku të gjitha palët ende vazhdojnë t’i lavdërojnë kriminelet e vet të luftës si “heronj”.

Mbi 15.000 nxënës të shkollave të mesme, studentë, ekspertë ligjorë, artistë, gazetarë, aktivistë për të drejtat e njeriut, krijues filmash dhe shkrimtarë kanë ndjekur programet e shkëmbimit, të cilat janë organizuar nga Nisma e të Rinjve për të Drejtat e Njeriut që nga themelimi i saj. Gjatë 15 vjetësh të punës, Nisma ka publikuar disa qindra komunikime publike, më shumë se 30 raporte analitike dhe studime, ka organizuar 200 trajnime, më shumë se 150 programe rajonale të shkëmbimit, 300 aksione dhe protesta në rrugë, dhe ka fituar 15 raste përpara gjykatave vendase dhe atyre ndërkombëtare.

Nisma e të Rinjve për të Drejtat e Njeriut, si zëri udhëheqës i të rinjve në rajon, deri tani ka organizuar dhe katër Samite për të rinjte, të mbajtura në Beograd, Prishtinë, Sarajevë, Zagreb dhe Sarajevë. Këto samite kanë mbledhur mijëra aktivistë të rinj civilë dhe politikë, rajonalë dhe ndërkombëtarë, me qëllim të shkëmbimit të përvojave dhe nxitjes së procesit të reformave demokratike. Samitet e të rinjve kanë nxitur dhe shkaktuar themelimin e Zyrës Rajonale për Bashkëpunimin e të Rinjve (RYCO), një zyrë ndërqeveritare të Serbisë, Kosovës, Shqipërisë, Bosnja Hercegovinës, Maqedonisë së Veriut dhe Malit të Zi.

Nisma e të Rinjve për të Drejtat e Njeriut themeloi dhe është duke realizuar disa festivale të cilët kanë si qëllim ndërlidhjen e të rinjve dhe nxitjen e bashkëpunimit kulturor në rajon, siç është festivali “Ditët e Sarajevës në Beograd” (deri vitin 2013), si dhe festivali “Mirëdita, dobar dan” (nga viti 2014) i cili prezanton artistët e Kosovës dhe Serbisë në Beograd dhe Prishtinë.

Që nga themelimi i saj, Nisma merr pjesë në çështjet gjyqësore të rëndësisë publike, ndërsa vendimi i parë për shkeljen e ndalimit të gjuhës së urrejtjes është marrë në Shtator të vitit 2008 dhe ka ardhur si rezultat i procedurës së nisur nga Nisma kundër gazetës së përditshme “Glas javnosti” për shkak të një njoftimi në të cilin bëhet thirrje për të bojkotuar një qendër tregtare për arsyen se bëhet fjalë për një kompani nga Kroacia.

Gjithashtu, Nisma e ka paditur Qeverinë e Serbisë përpara Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, e cila vendosi në vitin 2013 në favor të Nismës për shkak të shkeljes së Nenit 10 të Konventës Evropiane për Mbrojtjen e të Drejtave të Njeriut kur Qeveria e ka mohuar kërkesën e YIHR për miratimin e qasjes në informacionet në zotërim të BIA-s, e paraqitur në bazë të Ligjit të qasjes së lirë në informacionet e rëndësisë publike.

Ky vendim është i rëndësishëm për qytetarët dhe Serbinë sepse konstaton se agjencitë e inteligjencës, si çdo organ tjetër publik, u nënshtrohen dispozitave të njejta që kanë të bëjnë me qasjen në informacionet, si dhe për shkak të konfirmimit se edhe OJQ-të, siç është Nisma, mund të luajnë një rol të rëndësishëm, siç luajnë mediat, në mbrojtjen e interesit publik dhe si faktor korrigjues të pushtetit.

Rrjeti rajonal i Nismës së të Rinjve për të Drejtat e Njeriut është fitues i shumë çmimeve vendase dhe ndërkombëtare, ndër të tjerash, edhe të çmimit Vaclav Havel për të drejtat e njeriut në vitin 2019, i cili jepet nga Këshilli i Evropës.